Rreth projektit

For other languages, please click below:

DREJT VERIPERËNDIMIT!

Migrimet e shqiptarëve brenda Jugosllavisë (1953-1989).


Qendra për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Grazit ka kënaqësinë t`ju njoftojë për fillimin e projektit të ri kërkimor “Drejt veriperëndimit! Migrimet e shqiptarëve brenda Jugosllavisë (1953-1989)”. Projekti i nisur në prill të vitit 2020 mbështetet nga Fondi Austriak për Shkencë (FWF) P 32345 dhe drejtohet nga Rory Archer.

Studiues të shumtë janë marrë me hulumtimin e aspekteve të ndryshme të migrimeve të shqiptarëve- aq sa Russel King, një kërkues i njohur i punës në terren, e ka përshkruar Shqipërinë si “laborator” për studimin e migrimeve dhe zhvillimin e përgjithshëm. Pavarësisht numrit të madh të studimeve me fokus në përvojat e migrantëve shqiptarë në shtete si Greqia, Italia dhe Zvicra (dhe ndikimin e këtyre migrimeve në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë), një pjesë e rëndësishme e tregimit mungon. Po shqiptarët nga Kosova (dhe Maqedonia) që në numër të konsiderueshëm kanë migruar brenda Jugosllavisë gjatë periudhës së socializmit?

Shqiptarët kanë qenë grupi etnik jo-sllav më i madh në Jugosllavi, duke arritur kështu 8% të popullsisë së përgjithshme në vitet `80. Kryesisht me origjinë rurale, migrantët shqiptarë kanë gravituar qendrat industriale në vend duke kërkuar punë. Duke përdorur metoda kërkimore historike dhe historiko-antropologjike, ky projekt synon të studiojë migrimet e punëtorëve shqiptarë nga juglindja e Jugosllavisë drejt veriperëndimit të shtetit (Kroaci dhe Slloveni) në periudhën 1953-1989.

Qëllimi i parë i hulumtimit është analiza historike, e cila synon të tregojë se si migrimet e shqiptarëve të Jugosllavisë drejt Kroacisë dhe Sllovenisë janë kuptuar e janë ndihmuar nga autoritetet. Qëllimi i dytë përfshin analizën e mënyrave se si komunitetet lokale në Kroaci dhe Slloveni i kanë kuptuar dhe menaxhuar këto migrime. Qëllimi i tretë dhe më i rëndësishmi ka të bëjë me kërkimin se si migrimi është kuptuar nga vetë migrantët shqiptarë. I fundit qëllim kërkimor ka të bëjë me krahasimin e migrimeve të shqiptarëve brenda Jugosllavisë me migrimet më mirë të dokumentuara, siç është rasti i migrimeve të jugosllavëve gjatë periudhës së socializmit drejt Europës perëndimore e kapitaliste, e poashtu edhe me trendet e migrimeve nga fshati në qytet brenda Jugosllavisë.

Metodologjikisht, hulumtimi mbështetet në lexime e në analizën e dokumenteve arkivore dhe realizimin e intervistave sipas metodës së historisë gojore. Intervistat do të realizohen nga hulumtuesit e projektit në dy lokalitete të zgjedhura si raste studimi të migrimit të shqiptarëve- në Pula (qytet në veriperëndim të Kroacisë) dhe në një qytet industrial të Sllovenisë.

Projekti ndjekë të rejat e fundit shkencore në fushën e studimeve të Europës juglindore- kërkimet rreth racës, etnicitetit, klasës, gjinisë dhe marrëdhënien ndërmjet këtyre kategorive të identifikimit brenda paradigmës kërkimore që thekson ndërlidhjen mes kategorive të sipërpërmendura. Teza që hedhë ky hulumtim është se migrimet e shqiptarëve brenda Jugosllavisë kanë qenë të ndikuara nga faktorë të ndryshëm si përkatësia fetare (islame, katolike apo laike), gjinia (burra ose gra?), vendi i origjinës (nga fshati apo qyteti) dhe orientimi politik (komunist besnik apo simpatizant i lëvizjeve nacionale?). Shpesh këto kategori janë ndërlidhur mes vete duke sjellë rezultate të ndryshme për individët me studimin e migrimit të të cilëve merret projekti hulumtes. Pikërisht analiza e detajshme e këtyre rezultateve është qëllim i studimit.

Hulumtimi do t`i kontribuojë debatit në fushën e studimeve të historisë së migrimeve nga Europa juglindore dhe historiografisë jugosllave. Në plan më të gjërë, për studimet e migrimeve, ky rast empirik ofron një shembull të migrimit ndërkulturor brenda kufijve shtetërorë në kontekst të modernizimit socialist.


Në dhjetor të vitit 2020, hulumtuesit e projektit prezantuan projektin në Universitetin e Grazit (nëpërmjet platformës Zoom). Këtu mund ta gjeni inçizimin: